Shëndeti nuk është privilegj, është e drejta jote.

"Si Je?" - Fushatë Ndërgjegjësuese dhe Komunikimit Publik për Programin e Kontrollit Mjekësor Bazë Pa Pagesë për Popullatën 40-65 Vjeç

Ministria e Shëndetësisë lançoi sot (04/12/2014) fushatën ndërgjegjësuese dhe informimit publik - “Si Je?” – e cila, fton të gjithë shqiptarët e grupmoshës 40-65 vjeç, që një herë në vit, të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë.

Në zbatim të një prej zotimeve themelore programore në sektorin e shëndetësisë, Qeveria Shqiptare mori më 2 Prill 2014 një vendim shumë të rëndësishëm, atë të përcaktimit të mënyrës së realizimit të kontrollit mjekësor bazë për shtetasit e moshës 40-65 vjeç, dhe ky është edhe hapi i parë i rëndësishëm dhe konkret, drejt kalimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri në mbulim universal.

Kontrolli Shëndetësor Bazë është një program kombëtar, pa pagesë për përfituesit e tij, që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundshmërinë më prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.

Profili i Fushatës

Kjo fushatë i’u drejtohet së pari, të gjithë shtetasve të grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të identifikuar nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të regjistrit elektronik që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore; dhe gjithashtu, grupi dytësor i synuar i saj, janë të rinjtë, prindërit, familjet, institucionet publike qeveritare dhe joqeveritare, si dhe publiku i gjerë.

Qëllimi i Fushatës

Të bëjë të njohur programin e kontrollit mjekësor bazë pa pagesë për popullatën 40-65 vjeç, por edhe për publikun e gjerë në Shqipëri; si dhe,
Të ftojë gjithë shqiptarët e kësaj grupmoshe, që një herë në vit, të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë.

Filozofia e Kontrollit Mjekësor Bazë

Shëndeti është një aspiratë e përbashkët njerëzore e përparësisë më të lartë dhe kjo qëndron në thelb të ekzistencës së një shoqërie moderne.

Nisma botërore e OBSH-së, “Shëndeti 2020” [Health2020], e bën të qartë se përmirësimi thelbësor i shëndetit mund dhe do të arrihet kur në të përfshihemi të gjithë, e “gjithë shoqëria” dhe e “gjithë qeveria”, duke synuar mbrojtjen e popullatës nga kërcënimet mbi shëndetin, që njerëzit të jetojnë cilësisht më gjatë, duke ndihmuar gjithashtu edhe mbrojtjen e shtresave të pambrojtura të shoqërisë.

Kjo përqasje na ofron mundësinë të fokusohemi te shëndeti dhe ruajtja e tij, dhe jo vetëm te sëmundja dhe kurimi i saj.

Çfarë është Kontrollit Mjekësor Bazë dhe Përse Ju Shërben?

Çdo individ, sado i shëndetshëm, në një etapë të caktuar të jetës së tij (që nga mosha mesatare), është i rrezikuar nga sëmundjet si ato të zemrës dhe enëve të gjakut, goditjet ne tru, diabeti, sëmundjet e veshkave, disa forma të demencës, depresioni, etj.

Sëmundjet kronike jo-të-transmetueshme, veçanërisht ato kardio-vaskulare dhe tumorale, janë shkaktarët më të mëdhenj të vdekshmërisë në Shqipëri. Ato janë sëmundje që kanë në bazë të tyre një stil jo të shëndetshëm jetese, prandaj është thelbësore që të mund të parandalohen duke u kapur në kohë dhe duke ndikuar në edukimin shëndetësor të popullatës për një stil të shëndetshëm jetese.

Në një masë dërmuese, barra e sëmundshmërisë në Shqipëri përcaktohet nga tre faktorë madhorë të rrezikut: ushqyerja jo e shëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe konsumi i produkteve të duhanit. Individët e grupmoshës 40-65 vjeç kanë rrezik më të lartë për një sërë gjëndjesh shëndetësore jo të favorshme dhe pikërisht këta individë do të kishin përfitimin maksimal nga zbulimi i hershëm i sëmundjes së tyre.

Shfaqjen e këtyre sëmundjeve mund ta favorizojnë gjithashtu edhe disa faktorë të tjerë që lidhen me mënyrën e jetesës, stresin, trashëgueshmërinë familjare, etj.

Kontrolli shëndetësor nëpërmjet paketës së detyrueshme për moshat 40-65 vjeç, ka si qëllim të ndihmojë në uljen e rrezikut për të zhvilluar këto sëmundje të zakonshme dhe të rrezikshme, por që në kohën e sotme, është e mundur të parandalohen.

Na vizitoni në

Na kontaktoni

Lagja: "Partizani", Spitali Rajonal Vlore.
Email : spitalivlore@shendetesia.gov.al
Telefon: +3553322657